Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Indi, mbajti një takim me sipërmarrës nga India dhe Shqipëria, për të diskutuar rreth perspektivave të biznesit në Shqipëri.
Ministri Hasani inkurajoi kompanitë indiane të shqyrtonin mundësitë për investime, tregti dhe partneritet në Shqipëri, duke shpresuar që ata do të ndërtojnë histori të reja të suksesit në rajon dhe më gjerë përmes bashkëpunimit me vendin tonë.
Ai theksoi se India ofron një potencial të madh për Shqipërinë, dhe forcimi i lidhjeve mes dy vendeve është i rëndësishëm për të arritur përparimin ekonomik dhe gjeostrategjik.
Ministri Hasani udhëhoqi një delegacion biznesmenësh gjatë vizitës, të cilët kryesisht përfaqësonin sektorë të ndryshëm si prodhimi i tekstileve, industrija e mishit, prodhimi i letrës dhe plastikës, produkte hidrosanitare, tregtimi i mallrave ushqimore dhe industriale, si dhe fushat e arsimit dhe kërkimit shkencor.
India ka qenë një nga partnerët kryesorë tregtarë për Shqipërinë, me një rritje të dukshme të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Sipas QKB-së, numri i kompanive me origjinë indiane në Shqipëri ka qenë në rritje, duke operuar në disa qarqe të vendit si Tirana, Korça, Durrësi, Vlora dhe Elbasani.