Futbollisti brazilian Dani Alves është gjetur fajtor për një incident të dhunës seksuale ndaj një femre në një lokal nate në Barcelonë. Vendimi është marrë nga një grup gjykues prej tre gjyqtarësh, të cilët e dënuan ish-futbollistin me katër vjet e gjashtë muaj burg dhe urdhëruan që ai të paguante 150,000 euro si dëmshpërblim për viktimën.
Alves u arrestua në janar të vitit të kaluar dhe ka qëndruar në paraburgim që nga ajo kohë.
Gjykata konfirmoi se viktima nuk kishte dhënë pëlqimin e saj për veprimin dhe ka prova që e klasifikojnë ngjarjen si një rast të dhunës seksuale. Gjatë procesit, Alves deklaroi se çdo gjë ndodhi me pëlqimin e femrës, por gjykatësit nuk pranuan këtë argument. Ky rast ka tërhequr vëmendjen e gjerë, jo vetëm për shkak të profilit të lartë të Alves, por edhe për faktin që debati për dhunën gjinore është bërë gjithnjë e më intensiv në Spanjë. Ky është një nga rastet më të rëndësishme që prek këtë çështje që prej miratimit të një ligji në vitin 2022, i cili ka bërë pëlqimin një element kyç në rastet e sulmeve seksuale dhe ka rritur dënimet minimale për këto kriminelë. Dënimi maksimal për këtë lloj krimi mund të jetë deri në 15 vjet burg.
Dani Alves është një prej futbollistëve më të suksesshëm në histori. Ai ka fituar 42 trofe gjatë karrierës së tij, duke përfshirë tre tituj të Ligës së Kampioneve me Barcelonën dhe dy Kupa Amerika me Kombëtaren e Brazilit. Ai gjithashtu ka qenë pjesë e skuadrës braziliane që fitoi Kupën e Botës në Katar në 2022.