Në Dhjetor, Shqipëria mbeti një destinacion i preferuar për turistët italianë, siç tregojnë të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave. 11.5% e vizitorëve në strukturat akomoduese ishin italianë, ndërsa pas tyre vijnë shqiptarët e Kosovës me 8.2% dhe gjermanët me 5.3%. Në këtë muaj, një rritje të dukshme kanë shënuar edhe britanikët dhe turqit.
Italianët vazhdojnë të jenë grupi kryesor i turistëve që frekuentojnë hotelet gjatë muajit Dhjetorit, duke mbajtur tendencën e tyre gjatë gjithë vitit të kaluar. Në total, gjatë 12 muajve të vitit të kaluar, mbi 950 mijë turistë italianë vizituan Shqipërinë.
Gjatë Dhjetorit të vitit 2023, numri i vizitorëve në strukturat akomoduese u rrit me 47.9% krahasuar me Dhjetorin e vitit 2022. Rritjen më të lartë e kanë shënuar vizitorët jo-rezidentë, me 66%, ndërsa vizitorët rezidentë kanë rritje me 33.2%.
Përveç rritjes në numër, edhe kohëzgjatja e qëndrimeve të turistëve në hotele është rritur. Numri i netëve të qëndrimit gjithsej u rrit me mbi 67%, krahasuar me Dhjetorin e vitit 2022. Netët e qëndrimit nga rezidentët u rritën me mbi 54%, ndërsa ato nga të huajt u rritën me 81%. Turistët kryesisht u vendosën në rajonin qendror, duke preferuar zonat jo bregdetare këtë herë, ndryshe nga tendenca gjatë verës kur preferohen zonat bregdetare.