Një kontroll rutinë i policisë rrugore në Sarandë jo vetëm zbuloi një rast të dhunës në një familje, por edhe çoi në arrestimin e dy personave. Ngjarja nisi kur policia ndaloi një makinë, e cila drejtohej nga një grua 37-vjeçare. Pas testimit për alkool, u zbulua se ajo ishte në gjendje të dehur, dhe u shoqërua në komisariat. Atje, ajo rrëfeu se kishte qenë viktimë e dhunës nga ish-bashkëjetuesi i saj. Pas këtij kallëzimi, autoritetet u angazhuan menjëherë dhe arrestuan 40-vjeçarin. Megjithëse ishte viktimë e dhunës, gruaja 37-vjeçare u arrestua edhe ajo për drejtim të makinës në gjendje të dehur.
“Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ndaluar për verifikim, automjetin tip “Benz”, me drejtuese shtetasen M. K., 37 vjeçe, e cila, pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar ne gjendje të dehur. Për këtë arsye, kjo shtetase është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, ku ka kallëzuar se ishte dhunuar nga ish-bashkëjetuesi i saj. Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin S. Ç., 40 vjeç, pasi dyshohet se më datë 19.02.2024, ka ushtruar dhunë ndaj kësaj shtetaseje. Gjithashtu, pas komunikimit me prokurorin, për këtë rast, është arrestuar në flagrancë shtetasja M. K., për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, tha Policia e Vlorës në një njoftim për mediat.