Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Ankarasë, ku me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, do të zhvillojë një vizitë dy palëshe. Ai është pritur nga një delegacion sapo ka zbritur nga avioni.
“Mbërritja në Aeroportin Ndërkombëtar të Ankarasë për vizitën dy palëshe dhe takimin e Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë midis dy qeverive”, shkruan kreu i qeverisë në rrjetet sociale.
Rama dhe Erdogan pritet të takohen rreth orës 14:30. Më pas, ata do të zhvillojnë një takim bilateral për rreth 15 minuta.
Më vonë, rreth orës 15:45, Rama dhe Erdogan do të drejtojnë Mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen e disa ministrave nga secila qeveri.
Në vazhdim të forcimit të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë, do të nënshkruhen disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fushat e mjedisit, mbrojtjes, medias dhe komunikimit, etj., pritet të ndodhë rreth orës 16:45.
Në përfundim të vizitës, Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan do të japin një deklaratë të përbashkët për shtypin. Pas kësaj, rreth orës 17:45, ata do të mbajnë një darkë bashkë.
Pjesë e delegacionit qeveritar janë Zv/Kryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku; Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani; Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi; Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj; Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu; Ministre e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu; si dhe Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.