Spanja do të heqë dorë nga programi i saj i ashtuquajtur “viza e artë” që u jep të drejta qëndrimi të huajve që bëjnë investime të mëdha në pasuri të paluajtshme në vend, u tha gazetarëve të hënën kryeministri Pedro Sanchez.

Përfundimi i skemës do të ndihmonte që aksesi në strehim të përballueshëm të bëhet “një e drejtë në vend të një biznesi spekulativ”, tha Sanchez.

“Sot, 94 nga çdo 100 viza të tilla janë të lidhura me investime në pasuri të paluajtshme… në qytetet kryesore që po përballen me një treg shumë të stresuar dhe ku është pothuajse e pamundur të gjesh strehim të mirë për ata që tashmë jetojnë, punojnë dhe paguajnë taksat e tyre atje.” ka thënë Sanchez.

Ai shtoi se qeveria do të nisë procesin për eliminimin e skemës në mbledhjen javore të kabinetit të së martës pas studimit të një raporti të paraqitur nga Ministria e Strehimit.

Nga fillimi i skemës së vizave të arta në 2013 deri në nëntor 2022, Spanja lëshoi ​​pothuajse 5000 leje, tregojnë shifrat e qeverisë.

Masa nuk ka gjasa të ndikojë në tregun e pronave pasi më pak se 0.1% e 4.5 milionë shtëpive të shitura gjatë asaj periudhe janë blerë sipas skemës, sipas faqes së internetit të pronave Idealista.

Problemi i strehimit në Spanjë nuk u shkaktua nga skema e vizave të arta, por nga mungesa e ofertës dhe një rritje e kërkesës, tha zëdhënësi i Idealista, Francisco Inareta.

“Masa e shpallur sot, e cila fokusohet te blerësit ndërkombëtarë në vend që të inkurajojë shtëpitë e reja të dalin në treg, është një tjetër diagnozë e gabuar,” tha Inareta.

Portugalia fqinje ka  rinovuar kohët e fundit  skemën e saj të “vizave të arta” dhe ka përjashtuar investimet në pasuri të paluajtshme për të trajtuar një krizë strehimi. Të huajt që duan të sigurojnë të drejtat e qëndrimit mund t’i vënë ende paratë e tyre në fondet e investimeve.

Komisioni Evropian ka bërë thirrje prej kohësh për t’i dhënë fund programeve të tilla, duke përmendur rreziqet e sigurisë.