Pas shumë bisedimesh dhe propozimeve nga individë që kishin qenë të burgosur për motive politike, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka lëshuar për konsultim publik draft-planin për menaxhimin e ish-burgut të Spaçit.
Në një raport të gjatë prej 182 faqesh, Ministria e Kulturës paraqet rëndësinë e investimeve dhe rindërtimit të hapësirave, planin e biznesit dhe estimimet paraprake të shpenzimeve për restaurimin e godinave që mbajnë një peshë historike të rëndësishme.
Hapi fillimor është transferimi i pronësisë administrative të kësaj zone në kompetencë të Ministrisë së Kulturës, dhe më pas krijimi i një fondacioni nga një institucion i specializuar për trashëgiminë kulturore, i cili do të jetë nën drejtimin e Ministrisë së Kulturës.
Fondacioni do të organizohet në tre nivele menaxhimi, duke përfshirë një Bord Drejtues, Bord Nderi dhe Bord Shkencor, i cili do të financohet nga Buxheti i Shtetit, burime ndërkombëtare dhe publike dhe private. Implementimi i planit pritet të zgjasë 5 vjet.
Në vitin e parë të këtij draft-plani parashikohet ndalimi i degradimit të strukturave të ish-burgut të Spaçit dhe fillimi i procesit të rindërtimit. Në vitin e dytë dhe të tretë, synohet promovimi i vendit dhe hapja e një muzeu të posaçëm, ndërsa në dy vitet e fundit planifikohet integrimi i ish-burgut në një hapësirë për dialog dhe interaktivitet.
Investimi financiar në këtë draft-plan parashikon një shumë prej 4.230.800 Euro, ku 2.321.900 Euro do të shkojnë në fazën fillestare dhe pjesa tjetër për fazat e mëtejshme. Projekti ka qenë në konsultim me grupet e interesit, duke përfshirë të burgosurit politikë, institucionet e kujdesit të kujtesës dhe historianët.
Burgu i Spaçit ishte një burg i sigurisë së lartë i përdorur për të internuarit politikë gjatë periudhës së diktaturës, i hapur në vitin 1968 dhe në funksion deri në vitin 1988, ku u mbajtën mbi 1000 të burgosur politikë.