Forcat e specializuara të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale, pas një hetimi të kujdesshëm disamujor, organizuan dhe zbatuan me sukses operacionin policor të quajtur “Kamuflimi 2”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. O., 31 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte marrë dënim më parë për të njëjtën aktivitet kriminale; I. B., 21 vjeç, banues në Skrapar, i cili ishte klient në një qendër masazhesh; dhe M. C., 37 vjeç, banuese në Durrës, e cila ishte punonjëse në një qendër masazhesh.
Po ashtu, u ngritën akuza penale kundër D. H., 38 vjeç, L. S., 25 vjeç, punonjëse në qendrën e masazheve; A. B., 34 vjeç; A. I., 28 vjeç; dhe K. A., 21 vjeç, të cilët ishin klientë në qendrën e masazheve.
Ndërsa 38-vjeçari me iniciale O.Rr. është shpallur në kërkim.
Shtetasit O. Rr. dhe E. O. kishin drejtuar një qendër masazhesh në rrugën Bardhyl, në të cilën përveç aktivitetit të lejuar ligjërisht si qendër masazhesh, praktikohej edhe prostitucioni.
Si provë materiale u sekuestruan shuma të dyshuara parash të fituara nga ky aktivitet kriminal, pajisje celularë, një pajisje DVR dhe një mjet automobilistik.
Materialet e hetimit u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për hetime të mëtejshme.