Pas një seance të shkurtër dhe kaotike të së Hënës, Sekretariati i Etikës ka shqyrtuar kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të përjashtuar 3 deputetë të Partisë Demokratike nga Kuvendi.
Deputeti Flamur Noka është përjashtuar për 30 ditë, Bledjon Nallbati për 20 ditë dhe Saimir Korreshi për 5 ditë.
Seanca e së Hënës ishte e dedikuar për diskutime që lidhen me zgjedhësit, por deputetët e opozitës, me të njëjtën strategji, nuk e lejuan kolegët socialistë të marrin fjalën.
Me pankarta në duar, deputetët e opozitës përdorën zhurmues dhe u frynë bilbilave, duke bërë që seanca të zgjaste më pak se 10 minuta. Në ndërkohë, deputeti demokrat Flamur Noka u përplas me Gardën e Republikës dhe i ndërpreu fjalën deputetit socialist, Vullnet Sinaj, duke iu afruar me bilbil tek mikrofoni.