Çamçakëzi me nikotinë/ Snusi
Ky është një ndër produktet që po përdorin sot të rinjtë dhe adoleshentët si alternativë ndaj duhanit tradicional.
Ky produkt përmban nikotinë dhe është në formën e çamçakëzit, çka bën që as prindi dhe as mësuesi në klasë nuk e dallon, pasi nuk mban erë.
Përpara kamerave, të rinjtë shpesh deklarojnë se nuk e përdorin këtë produkt, por në të vërtetë ai tregtohet në çdo pikë ku janë edhe alternativat e reja të duhanit.
“Është në formë të çamçakëzit dhe kjo bën që të mbahet edhe gjatë orës së mësimit pa u vënë re nga mësuesi apo prindërit”, tha Roland Shuperka, një ekspert për duhanin.
Në vendet e zhvilluara, ky produkt përdoret nga ata që kanë përdorur duhan për një kohë të gjatë dhe dëshirojnë të ndalojnë.
“Nuk duhet të përdoret absolutisht nga adoleshentët nën 18 vjeç”, shtoi eksperti.
Por, çfarë pasoja sjell përdorimi i këtij produkti nga adoleshentët dhe të rinjtë?
“Fillon varësia ndaj nikotinës, rritja e rrezikut të kancerit të zorrës së trashë”, tha ai.
Shuperka bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ndalojnë futjen e produkteve të reja alternative të duhanit që përmbajnë nikotinë, pasi po shkaktojnë dëme tek të rinjtë, të cilët fillimisht e provojnë nga kurioziteti dhe pastaj përpiqen t’i fshehin konsumin nga prindërit që janë vetë konsumatorë të duhanit.