Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka shprehur qëndrimin se marrëveshja e arritur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për komisionet hetimore ul besueshmërinë dhe dëmton opozitën.
Salianji, duke folur pas mbledhjes së grupit të PD, theksoi se dakordësia me PS për themelimin e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, nuk është një arritje e madhe.
“Pas një aksioni 5-mujor në parlament, jemi në kushtet kur ka ndryshuar rregullorja e Kuvendit e cila është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe kufizon të drejtat e deputetëve. Jemi në kushtet kur jemi përpara një ligji për komisionet hetimore që kufizon transparencën në komision, që kufizon të drejtën e hetimit parlamentar të deputetëve të opozitës dhe në fund të ditës, a ka 2-3 muaj Rama që me ligjin e ri merrni 8 komisionet hetimore? Unë nuk bëj dot me gjasme të them fituam se morën 2 kur Rama vetë të jep 8 me ligjin e ri. Kufizimi që i bëhet me 2 anëtarë nënkomisionit të posaçëm është prapë një hap mbrapa në raport me të drejtat e partive politike në këtë vend. Nëse Komisioni i Reformës Zgjedhore kishte gjithëpërfshirje, tanimë janë dy palë politike të cilat kostot në fund të ditës do t’i mbeten Partisë Demokratike se Edi Rama nuk mban marrëveshje. Dhe përderisa ne të gjithë themi që rruga radikale është e vetmja rrugë për t’u përballur me Edi Ramën, ne nuk bëhemi si lavjarës siç ka ndodhur historikisht me këtë parti, një herë para një herë mbrapa, por vazhdojmë përpara për të hedhur Edi Ramën. Tani çfarë t’u them unë? Që ne kemi fituar të drejtën të ulemi në Konferencën e Kryetarëve që e kemi refuzuar deri tani? E kemi pasur atë të drejtë dhe nuk jemi ulur. Kjo marrëveshje, në pikëpamje të përgjithshme na ul besueshmërinë dhe dëmton perceptimin e opozitës tek demokratët dhe tek shoqëria”, u shpreh deputeti Ervin Salianji.
Një ditë më parë, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi arritën një dakordësi në parim për themelimin e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, opozita do të heqë dorë nga kaosi në jetën parlamentare.