Forcat e Policisë në Tiranë kanë bërë arrestimin e një burri 41-vjeçar, i cili shkelte masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe kryente vjedhje celularësh në dy biznese.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke vazhduar punën e tyre për zbulimin dhe goditjen e veprave kriminale, u informuan se një shtetas ishte përfshirë në thyerjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ishte përfshirë në vjedhje në dy biznese në këto rajone. Ata organizuan dhe zbatuan një operacion policor të koduar “Story”.
Shtetasi G. H., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe i dënuar më parë për vepra penale në lidhje me trafikun e substancave narkotike, u arrestua gjatë këtij operacioni.
Pas hetimeve të kryera, u zbulua se ai kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe më datën 25.03.2024, kishte kryer një vjedhje celulari në një biznes në zonën e Unazës së Re, ndërsa më datën 01.04.2024, kishte kryer një vjedhje celulari në një biznes në Rrugën e Kavajës.
Gjatë arrestimit u sekuestruan 2 celularë të vjedhur dhe veshjet e përdorura gjatë kryerjes së këtyre vjedhjeve, të cilat u përdorën si provë materiale.
Materialet procedurale u dorëzuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.