Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën dhe kanë bërë të qartë se përdorimi i forcës nuk do të tolerohej.
Ai theksoi se një lëvizje e mundshme e forcave serbe do të konsiderohej si rrezik për forcën e NATO-s, e cila është e vendosur në Kosovë për të mbrojtur të gjithë komunitetin, përfshirë edhe shqiptarët dhe serbët.
Ndërkaq, O’Brien bëri të ditur se Serbisë i është thënë që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë të Zveçanit në 24 shtatorin e vitit 2023 duhet të përballen me përgjegjësinë për veprimet e tyre.
Në lidhje me këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, informoi më 21 mars se disa njësi të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, duke i quajtur këto lëvizje “provokime të qëllimshme”.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë e ka hedhur poshtë këtë deklaratë të Kurtit, duke e cilësuar si një pjesë e fushatës së dezinformimit për ushtrinë serbe. Ata thonë se forcat e tyre po ushtrojnë detyrat e tyre në zonën e sigurisë administrative, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese.