Policia ka ndaluar 36 drejtues mjeti që janë përpjekur të realizojnë korrupsion aktiv, tha Ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Sipas tij, këta individë kanë tentuar të japin ryshfet policisë së shtetit. Balla gjithashtu shtoi se përpjekjet për të luftuar këtë fenomen po rriten dhe i bëri thirrje qytetarëve dhe mediave që të raportojnë rastet e tilla.
“Janë ndaluar në flagrancë 36 drejtues mjeti “për korrupsion aktiv” të punonjësve të Policisë Rrugore e mbetur në tentativë. Të kapur në shkelje këta shtetas kanë tentuar t’i ofrojnë punonjësit të Policisë së Shtetit ryshfet. Lufta kundër këtij fenomeni të turpshëm po intensifikohet, qoftë ndaj shkelësve, qoftë ndaj atyre që kryejnë korrupsionin pasiv, punonjësve të policisë.
Ju lutem qytetarëve dhe mediave të denoncojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit duhet të rrisin vigjilencën dhe godasin me ashpërsi çdo përfshirje në veprime korruptive të punonjësve të Policisë së Shtetit.” shprehet Balla.