Pala greke ka përfunduar periudhën e grevës së saj dy ditore dhe filluar punën në Pikën Kufitare të Kapshticës që prej orës 05:30.
Megjithatë, duket se në orët në vijim pritet të ketë një rritje të lëvizjeve të makinave. Fotografitë e siguruara nga gazetarja Daniela Zisi tregojnë një radhë të gjatë kamionësh në anën shqiptare të kufirit, që shtrihet për disa kilometra.
Radha e kamionëve ka arritur deri në 3 kilometra, ndërsa disa drejtues thonë se kanë pritur aty që prej orës 03:00 të mëngjesit. Këto vonesa janë shkaktuar nga shkalla e lartë e trafikut, si dhe nga procesi i skanim-it për çdo mjet transporti.
Për sa i përket automjeteve të vogla që udhëtojnë drejt Greqisë, lëvizja është normale dhe nuk ka fluks të madh.
Në Doganën e Kakavijës, puna ka filluar gjithashtu. Nga ora 7:00 e mëngjesit, ka një rritje të dukshme të trafikut, veçanërisht kamionëve të transportit të mallrave në të dyja anët e kufirit.
Nga data 2 prill, si rezultat i grevës në palën greke në doganën e Kakavijës, lëvizja e automjeteve, autobusëve dhe kamionëve të mallrave ishte bllokuar, ndërsa një numër i vogël udhëtarësh kishin kaluar pa bagazhe.