Media britanike iNews sugjeron disa vende të cilat duhet vizituar nga udhëtarët e huaj. Në këtë listë përfshihet edhe qyteti i Tiranës, i cili po bëhet gjithnjë e më i njohur si një destinacion pushimesh.
Përpara se të filloni udhëtimin tuaj nëpër qytetin kryesor shqiptar, iNews rekomandon që të vizitoni xhaminë e shekullit të XVIII-të, Et’hem Beun, e cila ndodhet në cepin juglindor të sheshit Skënderbej. Kjo xhami, e cila ishte e mbyllur gjatë regjimit komunist, u rihap në vitin 1991 dhe u rinovua përfundimisht në vitin 2021.
Artikulli vazhdon të prezantojë Kalanë e Tiranës. Brenda mureve të saj të restauruara prej guri të shekullit të VI-të, të ndërtuara nga perandori Justiniani i Madh, gjen një vendkalim të bukur, me stil italian dhe ambiente të hapura, të cilat përmbajnë bare dhe restorante elegante që ofrojnë kuzhinën bashkëkohore shqiptare.
Në fund, iNews rekomandon edhe malin e Dajtit. Përmes teleferikut “Dajti Express”, vizitorët mund të shkojnë në majën e malit dhe të shijojnë pamjet e mrekullueshme të qytetit dhe natyrës së bukur që e rrethon. Në këtë mal, gjithashtu ka disa restorante ku udhëtarët e huaj mund të provojnë gastronominë tradicionale shqiptare.