Një gjykatë në Spanjë ka vendosur që Dani Alves të lirohet nga burgu, duke shlyer rreth një të katërtën e dënimit për akuzën e përdhunimit. Ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Kombëtares së Brazilisë, i cili u dënua me 4 vjet e gjysmë burg muajin e shkuar, do të lirohet me kusht që të japë një garanci prej 1 milion eurosh.
Alves ka qëndruar në paraburgim që prej Janarit të vitit 2023. Kushtet për lirimin e tij përfshijnë dorëzimin e të dyja pasaportave, atë braziliane dhe spanjolle, si dhe paraqitjen në gjykatë çdo javë. Gjykata gjithashtu ka caktuar një urdhërmbrojtje, që e ndalon ish-futbollistin të afrohet 23-vjeçares me të cilën ka ndodhur ngjarja.
Avokati i Alves ka bërë kërkesën për lirimin e klientit të tij nga burgu duke u bazuar në faktin që ai ka shlyer një pjesë të dënimit në kohën e paraburgimit. Vendimi, i cili nuk ishte unanim për shkak të votës kundër të njërit prej gjyqtarëve, mund të apelohet.
Gjatë procesit gjyqësor, prokurorët thanë se Alves dhe miqtë e tij kishin blerë shampanjë për 3 vajza të reja, para se të ndodhte ngjarja në zonën VIP të një lokali nate. Pas një zënke, Alves e detyroi vajzën të kryente marrëdhënie seksuale pavarësisht kërkesës së saj për t’u larguar.
Alves ka ndryshuar dëshminë e tij disa herë gjatë procesit gjyqësor. Fillimisht mohoi njohjen e vajzës, më pas pranoi që kishte pasur kontakt me të, por mohoi që mes tyre të kishte ndodhur ndonjë gjë. Më pas pranoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale, por pretendoi se ishte konsensuale.
Dani Alves ka një karrierë të pasur në futboll, duke luajtur për më shumë se 400 herë me Barcelonën dhe duke fituar 6 tituj në kampionatin spanjoll dhe 3 Champions League. Ai gjithashtu ka qenë pjesë e skuadrës së Brazilit në Kupën e Botës 2022.