Në konferencën kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e kualifikimit të punonjësve për të përshpejtuar zhvillimin e industrisë së turizmit.
Duke u nisur nga përvoja e Malit të Zi, Rama shprehu synimin e Shqipërisë për të bërë kryesoren në turizmin rajonal dhe për të përdorur këtë sektor si një mjet për rritjen e pagave dhe të të ardhurave. Megjithatë, ai nënvizoi se për të realizuar këtë qëllim, është e nevojshme të përmirësohet cilësia e shërbimit, duke siguruar që turistët të kenë një eksperiencë të mrekullueshme dhe kështu të kthehen përsëri në vend.
“Shqipëria ka mundësinë sot ta synojë jo vetëm vendin e parë me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në turizëm në fund të kësaj dekade por ka detyrim që përmes kësaj industrie të sjellë një rritje trë vazhdueshme të të ardhurave dhe pagave. Por na duhet jo thjesht të kemi projekte më të bukura sesa tjerët, gjë që hap pas hapi po e bëjmë, jo thjesht të kemi më shumë investime çdo vit por edhe duke përgatitur rrugën për të kthyer këtë industri në një bazë të ardhurash të denja për punonjës të kualifikuar si duhet. Sepse nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë të gjitha të tjerat, do shumëzoheshin me diçka afër zeros. Për shkak se është cilësia e shërbimit ajo që i bën vizitorët të rikthehen.”
Kryeministri gjithashtu theksoi se në sektorin e turizmit, qeveria dhe biznesi privat kanë objektiva të përbashkët, por ai shtoi se sektori privat duhet të marrë një përgjegjësi më të madhe në lidhje me sistemin e arsimit profesional.
“Këtu interesat e qeverisë dhe sektorit publik e privat, janë plotësisht të përputhura por nga ana tjetër sektori privat duhet të marrë përsipër disa përgjegjësi më shumë. Duke filluar nga kontributi i drejtëpërdrejtë financiar për sistemin e arsimit profesional”– shtoi kryeministri.