Sot, Partia Demokratike do të organizojë protestën kombëtare e cila është planifikuar të mbahet në orën 17:30. Gazetarja Klesiana Omeri na ka dhënë detaje të reja për këtë tubim.
Protestuesit pritet të mblidhen në bulevard para godinës së Kryeministrisë. Punimet për ngritjen e një foltoreje filluan që në orët e para të mëngjesit, ku të rinj nga Fronti Rinor i PD-së, si dhe disa deputetë të Partisë Demokratike do të mbajnë fjalime.
Në këtë protestë pritet edhe një komunikim online nga Sali Berisha. Kryedemokrati po mungon për herë të parë në një protestë të thirrur nga PD.
Edhe pse ka pasur angazhime të aleatëve, pritet që kreu i LSI-së, Ilir Meta, të mungojë për shkak të një axhende jashtë vendit.
Për sigurinë e protestës, pritet të jenë rreth 1100 efektivë policie në terren. Hyrja e Kryeministrisë është blinduar për të parandaluar çdo tentativë për të përshkallëzuar protestën nga pjesëmarrësit.